UBT News

Shpërthimi në një minierë në Kinë lë të vdekur të paktën 90 persona

Të paktën 90 persona kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi në një minierë qymyri në provincën Shanxi, në veri të Kinës, raportojnë mediat shtetërore kineze.

Sipas autoriteteve, shpërthimi i gazit ndodhi të premten në mbrëmje, në kohën kur brenda minierës Liushenyu ndodheshin 247 punëtorë. Mbi 100 prej tyre janë shpëtuar të gjallë, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet për personat e tjerë.

Kjo ngjarje po konsiderohet si aksidenti më i rëndë minerar në Kinë që nga viti 2009.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, kërkoi angazhim maksimal për shpëtimin e të mbijetuarve dhe trajtimin e të lënduarve. Ai po ashtu bëri thirrje për hetim të plotë të rastit dhe për përgjegjësi ndaj personave që mund të kenë ndikuar në këtë tragjedi.

Mediat shtetërore raportojnë se 27 persona po marrin trajtim mjekësor në spital. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, ndërsa të tjerët kanë lëndime më të lehta. Dyshohet se shumica janë prekur nga gazrat toksikë të liruar pas shpërthimit.

Autoritetet kineze kanë ndaluar disa pjesëtarë të menaxhmentit të minierës, ndërsa shkaku i saktë i shpërthimit ende nuk është konfirmuar. Raportohet se niveli i monoksidit të karbonit në minierë kishte kaluar kufijtë e lejuar para aksidentit.

Exit mobile version