Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një lokal të ushqimit në qendër të Podujevës, duke lënë të lënduar të paktën tre persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30 në rrugën “4 Dëshmorët”, ku dyshimet e para flasin për shpërthimin e një bombole gazi.
Sipas njoftimeve zyrtare, të lënduarit janë transportuar menjëherë për trajtim mjekësor në Urgjencën e qytetit. Detajet rreth incidentit i ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 08:30, në një lokal në rrugën ‘4 Dëshmorët’ në Podujevë, ka ndodhur një shpërthim. Zyrtarët policorë janë angazhuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet që shpërthimi ka ardhur nga një bombolë gazi, ku tre persona kanë pësuar lëndime. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në urgjencën e qytetit”, njofton Ahmeti.
Njësitet policore ndodhen ende në vendngjarje për të hetuar shkaqet e plota të këtij shpërthimi dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve materiale.
