Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me akuzat për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
Siç raporton Betimi për Drejtësi, aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Leon Perllaska. Sipas vendimit, dënimi me burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë, ndërsa gjoba financiare duhet të shlyhet brenda një afati prej tre muajsh nga plotfuqishmëria e tij.
Përveç dënimit kryesor, Ahmeti është obliguar të mbulojë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore prej 100 eurosh për paushallin gjyqësor, si dhe 100 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Nga ana tjetër, trupi gjykues ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar, e cila kapte vlerën e 172 mijë e 600 eurove. /E.A/
