UBT News

Shote Galica, Heroina e Popullit dhe simboli i qëndresës shqiptare

Në fillim të muajit korrik, shënohet 98-vjetori i ndarjes nga jeta e Qerime Galicës, e njohur si Shote Galica, Heroinë e Popullit dhe simbol i qëndresës shqiptare dhe luftës për liri.

Shote Galica luftoi për 12 vjet si pjesëmarrëse në mbi 40 aksione të rëndësishme luftarake, në të cilat humbi 22 anëtarë të familjes. Ajo ishte luftëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, austro-hungarezë, bullgarë e jugosllavë.

Shote Galica lindi në katundin Radishevë të Drenicës. Mori pjesë në kryengritjet kundër osmanëve në vitet 1909-1912 dhe në qëndresën e armatosur kundër serbëve në vitet 1912-1915. Në vjeshtën e vitit 1915, u rreshtua në çetën e kryengritësve të Drenicës përkrah bashkëshortit të saj Azem Galica. Mori pjesë në luftimet e vjeshtës 1918 për çlirimin e Drenicës, Podgorit dhe Pejës. Pas Luftës I Botërore e vazhdoi qëndresën kundër politikës serbomadhe të dhunës e shkombëtarizimit në Kosovë. Në prill-qershor 1919 mori pjesë përkrah Azemit, në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit e të Drenicës. Në vitet 1921-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut dhe në vitin 1923-1924 të zonës së lirë të Drenicës, në Arbaninë e Vogël.

Në ballafaqimet politike në Shqipërinë e viteve 1921-1924, ishte përkrahëse e opozitës demokratike dhe mbështetëse e qeverisë së Fan Nolit. Në dhjetor 1924 mori pjesë në radhët e luftëtarëve të Bajram Currit duke pritur me armë në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut. U rikthye në Kosovë, ku mbajti gjallë në popull frymën e qëndresës antiserbe.

Më 1926, e plagosur dhe e sëmurë, u vendos në Shqipëri, në Shullaz, pranë Milotit dhe më pas në Derven të Fushë-Krujës. Ndonëse në gjendje të vështirë dhe pa burime ekonomike, u kujdes për tre fëmije jetimë të bashkëluftëtareve të vrarë. Ndërroi jetë në Fushë-Krujë, aty ku prehet edhe sot e kësaj dite.

Exit mobile version