UBT News

Shorti i “World Boxing Cup – Brazil 2026”

Është hedhur shorti për turneun prestigjioz World Boxing Cup – Brazil 2026, i cili do të zhvillohet nga 20 deri më 27 prill në Foz do Iguaçu të Brazilit, duke mbledhur elitën botërore të këtij sporti.

Kosova do të përfaqësohet nga dy emra të njohur të ringut. Më 21 prill, në kategorinë 65 kg, Shpëtim Bajoku do të përballet me kanadezin Gabriel Labrie në një duel që pritet të jetë mjaft sfidues.

Ndërkohë, në kategorinë 60 kg, Donjeta Sadiku e ka kaluar një raund pa luftë dhe do të zbresë në ring më 22 prill, ku do të ndeshet me Jordan Wilson.

Ky edicion i Kupës Botërore të boksit konsiderohet rekordthyes, pasi në të marrin pjesë 47 shtete me gjithsej 342 boksierë – numri më i madh në historinë e këtij kompeticioni.

Turneu ka peshë të veçantë për sportistët, pasi pikët e fituara në këtë garë ndikojnë drejtpërdrejt në rrugën drejt kualifikimit për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028.

Me konkurrencë të ashpër dhe pjesëmarrje masive, “World Boxing Cup – Brazil 2026” pritet të sjellë duele të nivelit të lartë dhe të jetë një test i rëndësishëm për boksierët në rrugën drejt skenës olimpike.

Exit mobile version