Një grup prej 24 përfaqësuesish nga shoqëria civile, komuniteti akademik dhe organizata për të drejtat e njeriut i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, që ta referojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kërkesa në emër të grupit është dërguar nga Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Përmes këtij dokumenti kërkohet të sqarohet nëse mandati i Dhomave të Specializuara në Hagë është zgjeruar përtej autorizimit që garanton neni 162 i Kushtetutës së Kosovës.
Në kërkesë theksohet se Kushtetuta ka lejuar themelimin e një mekanizmi të specializuar vetëm për të përmbushur obligimet lidhur me Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, e jo për krijimin e një juridiksioni të përgjithshëm penal mbi strukturën, historinë apo veprimtarinë e UÇK-së. Nënshkruesit kërkojnë nga Avokati i Popullit të sqarojë nëse lidhja me këtë raport duhet të dëshmohet për krime dhe persona konkretë, si dhe nëse shtrirja e juridiksionit të Speciales po cenon parimet e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.
Grupi i ekspertëve sqaron se kjo nismë nuk synon shqyrtimin e provave apo përcaktimin e fajësisë individuale në rastet aktuale, por ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit kushtetues të vendit. Ndër 24 nënshkruesit e kërkesës janë figura të njohura si Prof. Dr. Enver Hasani, Lulzim Peci, Ismet Kryeziu, Nevenka Tromp, Visar Ymeri, Naim Rashiti, Leonora Kryeziu, Robert Muharremi, Fisnik Korenica e të tjerë.
