UBT News

Shoqata e Transportit të Autobusëve Prishtinë–Podujevë proteston para Komunës së Prishtinës

Qytetarët dhe shoferët e autobusëve nga Podujeva kanë kundërshtuar vendimin e Komunës së Prishtinës për ndalimin e kthimit të autobusëve në zonën pranë Xhamisë së Llapit. Masa u ndërmor nga Komuna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me arsyetimin se disa operatorë të transportit po tentojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës.

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar dje zbatimin e marrëveshjes për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, që përfshin edhe linjat nga Podujeva, duke ndaluar ndalesat e paautorizuara brenda qytetit.

Por ky vendim ka nxitur reagime nga udhëtarët llapjanë, të cilët e konsiderojnë të padrejtë dhe të rrezikshëm për sigurinë e tyre.

Para Komunës së Prishtinës, qytetarja Antigona Jakupi tha se vendimi për ndalimin e kthimit të autobusëve po rrezikon sigurinë e udhëtarëve.

Jakupi potencoi se Komuna duhet të gjejë një zgjidhje praktike për udhëtarët, pasi situata aktuale po u krijon vështirësi të mëdha.

“Podujeva frekuenton shumë banorë, qytetarët llapjan kanë biznese në Podujevë, udhëtojnë çdo ditë e frekuentojnë atë rrugë. Është shumë rrezik nuk e di a keni qenë, a e keni parasysh cfarë rruge është ku presim te shkolla ‘Modeli’. Nuk e lënë të parkohet autobusi, duhet me dalë në semafor, rrezikohet jeta e qytetarit, është shkollë publike aty rrezikohet jeta e nxënësve, e mësimdhënësve. Komuna duhet të bëjë një zgjidhje për neve. Duhet marrë parasysh kushtet për qytetarët, asnjë nuk e kanë lehtë, as pronarët e autobusëve. Unë udhëtoj çdo ditë më taksi, e di cfarë neglizhence u bëhet këtyre. Rrezikojnë jetën e qytetarit, rrezikojnë punën e vet. Nuk është faji i tyre, plotësisht janë të pafajshëm këta (shoferër e autobusëve)”, tha Jakupi.

Edhe Nazmije Hajrullahu e cilësoi vendimin e Komunës si të padrejtë dhe të papranueshëm për qytetarët e Podujevës. Sipas saj, kjo është një poshtërsi e madhe.

Kryetari i Shoqatës Transportuese të Autobusëve Prishtinë-Podujevë, Beqir Mustafa tha se janë dënuar nga 500 euro nga Inspektorati i Komunës. Ai potencoi se shoferët nuk do të rikthehen në punë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

 

 

 

Exit mobile version