Një shkrimtare e cila e akuzoi ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për përdhunim, ka ngritur edhe një padi tjetër ndaj tij të enjten në New York. Padia u dorëzua disa minuta pasi hyri në fuqi ligji i ri shtetëror i cili ua mundëson viktimave të dhunës të ngrenë padi për sulmet që kanë ndodhur dekada më parë.
Avokati i Elizabeth Jean Carroll e dorëzoi padinë në formë elektronike. Ajo kërkoi dëmshpërblim dhe ndëshkim për shkaktim të dhimbjes dhe vuajtjes, torturave psikologjike, humbjes së dinjitetit dhe dëmtim të reputacionit.
Caroll, një kolumniste e kahmotshme për revistën Elle, e akuzoi publikisht Trumpin përmes një libri të vitit 2019. Në libër ajo rrëfeu se Trumpi e përdhunoi atë në dhomën e zhveshjes së një dyqani luksoz në Manhattan në vitin 1995 ose 1996.
Duke iu përgjigjur akuzave, ish-presidenti amerikan tha se kjo s’ka ndodhur kurrë sepse Caroll “nuk ishte “tipi im”.
Vërejtjet e tij e shtynë Carroll të ngre padi për shpifje kundër tij, por kjo padi është ende duke u trajtuar në gjykatat e apelit.
Më parë, ligji i shtetit nuk ia lejonte asaj të ngre padi për përdhunim nën arsyetimin se kanë kaluar shumë vite që nga incidenti./UBTNews/