Dikur më pëlqente të shkoja në kinema vetëm. Unë mund të shihja atë që doja, kur të doja. Telefoni i fikur dhe askush për të më shqetësuar. Pastaj fillova të dilja me një djalë që i pëlqente shumë filmat. Ne shkonim së bashku në kinema dhe teatër. U martova me të dhe tani kemi një fëmijë. Nuk kam qenë në një film jo të animuar prej 7 vitesh dhe rrallë shkoj diku vetëm.
Por një herë në pak kohë, sigurohem të ha një vakt në restorant vetëm unë ose të marr një filxhan kafe. Më pëlqen të vëzhgoj njerëzit, më pëlqen qetësia që më lejon të mendoj ose të distancohem nga bota për pak. Më pëlqen të zgjedh se ku dua të shkoj pa patur nevojë të negocioj ose të kontrolloj si janë menutë e fëmijëve. Dhe sa herë që shkoj vetëm diku, befasohem se ma më pëlqen ajo kohë që kaloj me veten.
Më argëtuese se sa mendoni!
Profesoreshat e marketingut, Rebecca Ratner dhe Rebecca Hamilton, pasi anketuan qindra njerëz, gjetën se shumica e njerëzve kënaqeshin më shumë se ç’prisnin kur dilnin vetë. Në fillim sidoqoftë, njerëzit e anketuar thanë se iu desh të kapërcenin “ndrojtjen” apo ndoshta sikletin e të qenit vetëm.
Shumë pjesëmarrës të studimit supozuan se të tjerët do të mendonin se ata nuk kishin miq nëse do të shiheshin vetëm në publik. Kjo i bënte ata të hezitonin në fillim.
Megjithatë, një tjetër hulumtim i Thomas Gilovich na tregon se njerëzit as që po na kushtojnë vëmendje e jo më të mendojnë: “Uou dikush është ulur vetëm në kafene. Oh jo, ai s’duhet të ketë asnjë mik!”
Për shkak të një fenomeni unik të quajtur “Efekti i Spotlight” ne priremi të mendojmë se të gjithë po na shikojnë ose po vërejnë se për çfarë jemi duke menduar. Megjithatë, realiteti është se shumica e njerëzve janë shumë të interesuar për veten, të zënë ose të përqendruar në gjëra të tjera për t’i kushtuar kaq shumë vëmendje asaj që po bëjmë ne.
Pra, mos lejoni që këto mendime t’ju mbajnë në shtratin e shtëpisë. Në vend të kësaj, çohuni dhe shkoni tek ai restorani që keni dashur gjithmonë të provoni ose shkoni të shihni atë filmin që mezi po prisnit! Sapo të kapërceni sikletin e “pyes veten-çfarë-po mendojnë-të tjerët”, ka të ngjarë të takoni disa njerëz të rinj, të keni një përvojë argëtuese dhe ndoshta edhe të shijoni vetëm një gotë me verë të kuqe. Të gjitha këto mund t’i humbisni thjesht nga frika për të dalë vetëm nga shtëpia!
Burimi: Psychology Today