UBT News

Vdes në QKUK edhe personi i tretë nga rasti në fshatin Majac

Ka shkuar në tre numri i të vdekurve nga ngjarja tragjike që tronditi fshatin Majac të Podujevës të dielën mbrëma.

Së fundmi, është konfirmuar vdekja edhe e personit të tretë, 31-vjeçares që dyshohej për përfshirje në këtë rast.

Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla për Ekonomin Online.

Sipas njoftimeve të fundit, 31-vjeçarja A.G. nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve, duke u bërë viktima e tretë e këtij rasti.

Kujtojmë se gjatë mëngjesit të sotëm, në Qendrën Klinike Universitare ndërroi jetë edhe viktima tjetër, M.G., ndërsa në vendin e ngjarjes të dielën ishte konfirmuar i vdekur edhe viktima me inicialet I.B.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria janë duke vazhduar hetimet intensive për të zbardhur rrethanat e plota dhe motivet që çuan deri te kjo vrasje e dyfishtë që përfundoi me tri viktima.

Vrasje e dyfishtë në Podujevë, Prokuroria jep inicialet e viktimave

Ngjarja tragjike që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevës është konfirmuar tashmë si vrasje e dyfishtë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë dalë me njoftim zyrtar, duke zbardhur rrjedhën e operacionit dhe identitetin e pjesshëm të viktimave.

Sipas komunikatës së fundit nga Prokuroria, si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë humbur jetën dy persona me inicialet I. B. dhe M. G., ndërsa e dyshuara për këtë akt ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Edhe pse hetimet intensive po vazhdojnë, institucionet konfirmojnë se “motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur”. Rasti po trajtohet me prioritet të lartë nën cilësimin penal “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shkon në dy numri i të vdekurve në Podujevë, ndërron jetë në QKUK edhe viktima e dytë

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti i ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevës është ri-cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pas vdekjes së personit të dytë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Operacioni policor ka nisur rreth orës 18:40, pas pranimit të një informate fillestare se në fshatin Majac të komunës së Podujevës, dyshohet që një person i cili gjendet në një veturë është pa shenja jete”.

Njësitë relevante, përfshirë hetuesinë dhe forenzikën, kanë identifikuar në vendngjarje një automjet të tipit VW me targa lokale, pronë e një burri nga Obiliqi, i cili u konstatua pa shenja jete nga ekipi mjekësor.

Gjatë zhvillimit të hetimeve intensive, autoritetet kanë rrethuar një shtëpi banimi në të cilën ndodhej një person i armatosur.

Sipas raportit policor, “dyshohet që një person i gjinisë femërore është brenda në një shtëpi, posedon armë zjarri dhe nuk pranon të komunikojë me askënd, e cila paraqet rrezik jete për vetën e saj dhe për të tjerët”.

Për të vënë situatën nën kontroll, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim.

Pas ndërhyrjes, brenda shtëpisë janë gjetur dy persona të gjinisë femërore me plagë të rënda, të cilat u dërguan për trajtim mjekësor nën mbikëqyrje policore.

Megjithatë, Policia ka konfirmuar se sot rreth orës 03:35, “viktima femër kosovare ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar”.

Me urdhër të Prokurorit kompetent nga Departamenti i Krimeve të Rënda, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti janë duke vazhduar nga njësitë përkatëse.

 

Exit mobile version