UBT News

Shkon në 589 numri i viktimave në Venezuelë nga tërmetet e fuqishme, mijëra persona rezultojnë të zhdukur

Numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese në Venezuelë ka shkuar në 589, ndërsa 2.980 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar. Sipas raportimeve nga BBC, situata mbetet kritike pasi besohet se qindra qytetarë janë ende të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Ekipet e shpëtimit dhe ndihmat e para nga jashtë kanë filluar të mbërrijnë të premten, gati dy ditë pasi tërmetet e dyfishta rrafshuan zona të tëra brenda dhe përreth kryeqytetit Karakas. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, e rrethuar nga zyrtarë qeveritarë dhe ushtarakë, njoftoi bilancin e fundit të viktimave herët të premten dhe përshëndeti ndihmën e menjëhershme të ekipeve të shpëtimit nga e gjithë bota.

Autoritetet druhen se numri i të vdekurve pritet të rritet ndjeshëm, pasi mijëra persona janë raportuar zyrtarisht si të zhdukur. Në një faqe interneti të hapur posaçërisht për të mbledhur informacione mbi njerëzit e pagjetur, deri të premten në mëngjes ishte regjistruar një listë me rreth 50.000 persona.

Kjo katastrofë natyrore erdhi pas dy tërmeteve të njëpasnjëshme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën vendin mbrëmjen e së mërkurës. Këto lëkundje, të cilat u ndjenë në të gjithë rajonin, vlerësohen si ndër më të fuqishmet dhe më shkatërrueset që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull. /BBC/ /E.A/

Exit mobile version