Njëmbëdhjetë viktima dhe 70 të zhdukur është bilanci aktual në perëndim të Gjermanisë për shkak të përmbytjeve dhe shirave të vazhdueshëm gjatë gjithë natës, sipas një deklarate të policisë.
Një numër i madh shtëpish rrezikojnë të shemben në Schuld, në shtetin e Rhineland-Palatinate.
”Reshjet e mëdha të shiut në të gjithë Gjermaninë Perëndimore shkaktuan dëme në prona, mbyllje autostradash, evakuime masive dhe disa viktima gjatë natës”, deklaroi policia e landit.
Gjatë operacioneve të shpëtimit humbën jetën edhe dy zjarrfikës në rajonin e Maerkischer Kreis në shtetin e North Rhine Westphalia.
”Stuhi të dhunshme përfshinë Gjermaninë, veçanërisht në perëndim”, njoftuan autoritetet lokale, që presin më shumë reshje në ditët në vijim.
Në Nordrhein-Westfalen, rajoni më i populluar i Gjermanisë, reshjet e rrëmbyeshme të shiut shkaktuan dëme të mëdha, veçanërisht në disa azile të moshuarish.
Në disa lokalitete, uji nëpër rrugë arriti deri në një metër lartësi.
Në Hagen, sipas shërbimeve të urgjencës, përrenjtë dolën nga shtretërit e tyre duke zhvendosur grumbuj mbeturinash, që bllokuan rrugët, raporton ATSh.
Rajonet fqinje të Saar dhe Rhineland-Palatinate, si edhe Mecklenburg-Vorpommern (në verilindje) janë në gatishmëri për stuhi.
Landet e tjera veriore gjithashtu pritet të përjetojnë stuhi, të shoqëruara nga shira të rrëmbyeshëm dhe breshër.