UBT News

Shkollat e Tiranës shndërrohen në hapësira arti për 28-29 Nëntorin

Në prag të festave të 28-29 Nëntorit, shkollat dhe gjimnazet e Tiranës janë bërë skena arti, ku të rinjtë po sjellin shfaqje kushtuar ditëve më të rëndësishme të historisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama publikoi një video që e cilësoi si “kartolinë feste” nga artistët e rinj të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe qendrës kulturore “Albanian Night”. Në performancë morën pjesë rreth 150 nxënës, pjesë e programit jashtëshkollor Art e Zeje.

Të veshur me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, të rinjtë interpretuan me instrumente popullore këngën e njohur “Rrjedh në këngë e ligjërime”, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese.

Kryeministri ka ndarë së fundmi edhe performanca të tjera që shënojnë festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit, ndërkohë që në çdo shkollë të Tiranës festimet vazhdojnë me dekorime kuqezi, vizatime, piktura dhe aktivitete kulturore, duke nxitur kreativitetin e fëmijëve për 113-vjetorin e Pavarësisë dhe 81-vjetorin e Çlirimit të vendit. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version