Në Shkodër strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha se qarku Shkodër është më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë.
Ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Forcave të Armatosura kanë qenë në terren në bashkinë Vau Dejës, ku situata aktualisht është drejt normalizimit. Niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.
Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e argjinaturave mbrojtëse.
Gjithashtu, në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi, po punohet për pastrimin e inerteve në akset rrugore ku ka pasur rënie gurësh, për të garantuar qarkullimin normal.
Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit.
Vengu theksoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, si dhe strukturat e emergjencave civile të bashkive dhe institucioneve përkatëse, janë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme, /S.K/KP/ATSH/
