Shumë njerëz nuk mund të mbyllin sytë në një dhomë plotësisht të qetë dhe u nevojitet patjetër një sfond i lehtë, si televizori, muzika e qetë, tingulli i ventilatorit apo “white noise”.
Ajo që duket si zakon i çuditshëm ka shpjegime të qarta psikologjike. Ekspertët shpjegojnë se në heshtje të plotë truri bëhet aktiv: mungesa e stimujve të jashtëm rrit mendimet, shqetësimet dhe ankthin, duke e bërë momentin para gjumit më stresues.
Një zhurmë e butë në sfond i jep trurit një objekt neutral ku të fokusohet, duke ulur “zërin e brendshëm” të mendimeve.
Psikologët theksojnë lidhjen me fëmijërinë: dikush që është mësuar të flejë mes zhurmës së shtëpisë, televizorit apo trafikut, e kodon mjedisin si të sigurt. Heshtja totale më vonë mund të ndihet e frikshme, ndërsa zhurma e lehtë sjell ndjesinë e pranisë dhe sigurisë.
Një efekt tjetër i zhurmës së njëtrajtshme është se ajo maskon tingujt e papritur, kërcitje, zhurma nga korridori apo makina jashtë që mund të zgjojnë trurin. Tingujt e ventilatorit, të detit apo white noise stabilizojnë “peizazhin akustik” dhe ndihmojnë që gjumi të mos ndërpritet.
Psikologët lidhin këtë edhe me ankthin: njerëzit që mendojnë shumë, kanë imagjinatë të gjallë ose priren të “overthink”, përdorin zhurmën si mënyrë për të qetësuar mendjen, për të ulur tensionin emocional e kaluar më lehtë nga aktiviteti në gjumë.
A është e dëmshme? Zakonisht jo. Zhurma e butë, e njëtrajtshme dhe në volum të ulët ndihmn shumë njerëz të flenë më shpejt dhe më thellë. Problem më i madh paraqet televizori me dritë të fortë, ndryshime të papritura volumi apo programe me zhurma të forta.
Specialistët rekomandojnë tinguj si white noise, pink noise apo tinguj natyrorë si opsion më i shëndetshëm.
Por, nëse dikush nuk mund të flejë fare pa zhurmë dhe kjo e pengon në udhëtime, ambiente të reja, apo rrit ankthin kur nuk ka sfond tingujsh, atëherë këshillohet konsultimi me një terapist gjumi ose psikolog për të kuptuar më mirë këtë nevojë. /A.Z/UBT News/
