UBT News

Shkëlqimi i Ditës së Verës në Elbasan

Dita e Verës është një festë e lashtë pagane me origjinë të lashtë që përshëndet bukurinë dhe frytet e natyrës shqiptare. Në këtë ditë, 14 mars, qyteti i Elbasanit shndërrohet në një qendër të festës së ngjashme me rituale të lashta dhe festime të shumta.

Rituali i Ditës së Verës në Elbasan është më shumë se thjesht një ceremoni. Ai shënon fillimin e një periudhe të re me frymëzim, gëzim dhe lidhje të fortë me trashëgiminë kulturore shqiptare. Nata para Ditës së Verës sjell një atmosferë të veçantë, me shtëpitë që rrezatojnë një ndriçim të veçantë, duke përhapur një ndjesi të mahnitshme të gëzimit dhe përparimit. Ngjarjet e kësaj nate janë të mbushura me këngë tradicionale, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe të bukur që përshëndet frytet e verës.

Në mesditë, organizohet pikniku i Ditës së Verës dhe në tjetrën anë shihen portat e shtëpive zbukurohen me lule dhe simbole natyrore, duke krijuar një pamje tërheqëse dhe harmonike. Njerëzit mblidhen në rrugë për të përjetuar këtë moment që e konsiderojnë të shenjtë, pë të ndarë dashuri dhe mirësi me njëri-tjetrin.

Një aspekt i rëndësishëm i kësaj feste është ëmbëlsira e famshme “ballokumja”, e cila përfaqëson një pjesë të rëndësishme të kulturës kulinare shqiptare. Megjithatë, thuhet se shijen më të mirë të ballokumes e gjeni vetëm në Elbasan. Familjet autoktone vazhdojnë të ruajnë traditën e përgatitjes së kësaj ëmbëlsire në mënyrën më autentike dhe të mrekullueshme.

Në Elbasan, kjo ditë festohet me një sërë aktivitetesh të përvitshme. Qyteti këtë vit organizoi më shumë se 30 aktivitete për të festuar Ditën e Verës, duke përfshirë panairin e sportit, panairin e bujqësisë dhe festivalin e ballokumes. Koncerte, demonstrime, dhe aktivitete argëtuese u ofruan për të gjithë qytetarët dhe mysafirët.

Pas aktiviteteve elbasanas dhe mysafirë të shumtë e shijuan këtë ditë pranvere në pikniqe në vendet më të preferuara, ku “rekordin” sipas mediave shqiptare e thyen Parku “Rinia”, Krasta, Ullishta dhe Busheku, ku udhërrëfyes për mysafirët ishin vendalinjtë, që preferuan sot jo vetëm lokalet, por edhe fushat me bar.

Rikujtojmë se Dita e Verës në Elbasan ka një kuptim të veçantë historik dhe kulturor. Zanafilla e kësaj feste rrjedh nga faltorja e Zanës së Çermenikës, një perëndeshë e cila përfaqësonte natyrën dhe gjithë të mirën në gjueti. Kjo traditë e lashtë përjetohet me pasion dhe kujdes nga qytetarët e Elbasanit, duke e bërë këtë qytet një qendër të njohur për kulturën dhe traditat e tij të veçanta./UBTNews/

Exit mobile version