UBT News

Shkarkohet njëri nga trajnerët që ka shërbyer më së gjati në Premier Ligën angleze

Skuadra angleze Burnley përmes një komunikate zyrtare e ka konfirmuar se ka shkëputur marrëveshjen me trajnerin Sean Dyche, ndihmëstrajnerin Ian Woan, trajnerin e skuadrës së parë, Steve Stone, dhe trajnerin e portierëve, Billy Mercer.

Dyche është trajneri aktual që ka shërbyer më së gjati në Premier Ligën angleze, ku ka qenë në krye të Burnleyt për nëntë vite e gjysmë, periudhë kjo që konsiderohet si më e suksesshmja në histori të klubit.

Gjatë kësaj kohe, skuadra e Burnleyt kishte hyrë në Premier Ligë dy herë nga Championshipi, ku edhe arriti që të kualifikohet për herë të parë në gara evropiane pas 51 vitesh.

“Fillimisht, ne dëshirojmë që ta falënderojmë Sean dhe stafin e tij për të arriturat e tyre me klubin përgjatë dekadës së fundit. Gjatë kohës së tij në ‘Turf Moor’, Sean ka qenë person fantastik si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, i respektuar nga lojtarët, stafi, tifozët dhe nga mbarë komuniteti i futbollit. Sidoqoftë, rezultatet këtë sezon kanë qenë të dëshpërueshme, edhe pse ky ishte një vendim tejet i vështirë, me tetë ndeshje vendimtare të mbetura në këtë edicion, ne besojmë që skuadrës i duhet një ndryshim që t’i japim shansin më të mirë për të mbetur në Premier Ligë. Trajneri i U23, Mike Jackson, i asistuar nga drejtori i akademisë, Paul Jenkins, trajneri i portierëve U23, Connor King dhe kapiteni i klubit Ben Mee iu është kërkuar që të udhëheqin skuadrën për ndeshjen e së hënës kundër West Ham United. Procesi për të zëvendësuar Sean ka filluar dhe çdo gjë do të bëhet zyrtare drejt tifozëve gjatë ditëve në vazhdim”, thuhet në komunikatën zyrtare të presidentit të klubit, Alan Pace.

Pas 30 ndeshjeve të zhvilluara në Premier Ligën angleze, Burnley ka regjistruar katër fitore, 12 barazime dhe 14 humbje, kështu duke u pozicionuar në vendin e 18 me gjithsej 24 pikë të arkëtuara.

Exit mobile version