UBT News

Shishja e Pickfordit zbulon planin ndaj Messit dhe Argjentinës

Argjentina siguroi një vend në finalen e madhe të Kupës së Botës, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2:1 në një gjysmëfinale plot emocione. Përveç festës së madhe në fushë, vëmendjen e rrjeteve sociale e tërhoqi edhe një moment i pazakontë pas përfundimit të takimit.

Menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, futbollistët argjentinas gjetën në fushë shishen e ujit të portierit anglez, Jordan Pickford. Në të ndodheshin shënime të detajuara me udhëzime për mënyrën se si duhej të reagonte në rast se ndeshja do të vendosej me penallti.

Në shishe ishin të shënuar emrat e lojtarëve kryesorë të Argjentinës, përfshirë Lautaro Martinez, Julian Alvarez, Enzo Fernandez dhe Lionel Messi. Pranë secilit emër kishte udhëzime specifike, si: “shtiru sikur do të hidhesh majtas, por hidhu djathtas”, “qëndro në qendër” ose “hidhu djathtas”, duke treguar strategjinë e përgatitur nga stafi anglez për një seri të mundshme penalltish.

Kamerat filmuan momentin kur Nico Gonzalez, Lionel Messi dhe Marcos Senesi po e shikonin me kureshtje shishen, ndërsa një pjesë e bisedës së tyre u bë virale pas leximit të buzëve.

“Shikoni çfarë gjeta. Ka shënime për Lautaron, Julianin…”, dëgjohet të thotë Nico Gonzalez, ndërsa Messi e shikon me habi përmbajtjen e shishes dhe kërkon t’i përkthehen udhëzimet e shkruara në anglisht.

Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shumë tifozë e cilësuan momentin si një nga skenat më interesante dhe kurioze pas përfundimit të ndeshjes.

D.L

Exit mobile version