Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë sot në Samitin e Procesit Brdo-Brijuni në Ohër, ku në fjalimin e saj para liderëve rajonalë ka kërkuar trajtim të barabartë për Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe ka kritikuar përjashtimin e vendit nga Forumi i Zgjerimit të BE-së në Bruksel.
Në paraqitjen e saj të parë në këtë forum që nga zgjedhja presidente muajin e kaluar, Shiroka-Pula theksoi se bashkëpunimi rajonal kërkon respekt, barazi dhe besim të ndërsjellë. Ajo e cilësoi paradoksale faktin që në Forumin e Zgjerimit të BE-së, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel, Kosovës iu mohua përfaqësimi institucional, ndërkohë që u lejua interpretimi i një kënge nacionaliste që cenon shtetësinë dhe integritetin e saj territorial.
“BE-ja nuk mund të ndërtojë unitet duke toleruar simbole dhe praktika që nxisin ndarje, por as të mjaftohet me një distancim formal. Një Ballkan Perëndimor më i integruar është një Evropë më e fortë. Integrimi evropian nuk mund të jetë selektiv”, deklaroi presidentja.
Ajo nënvizoi se Kosova nuk kërkon privilegje, por trajtim të drejtë dhe vlerësim mbi bazën e meritave, duke paralajmëruar se zvarritja drejt statusit të vendit kandidat dëmton besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane.
“Kosova i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe pret integrim mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta”, shtoi Shiroka-Pula.
Presidentja kërkoi gjithashtu hapa konkretë që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si heqja e tarifave të roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe zbatimin e barabartë të Planit të Rritjes për të nxitur reformat, investimet dhe punësimin në rajon.
Duke u ndalur te sfidat globale të sigurisë pas agresionit rus në Ukrainë, Shiroka-Pula bëri të ditur se Kosova ka investuar në fuqizimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në personel, pajisje dhe armatim, me synim ruajtjen e integritetit territorial dhe vënien e këtyre kapaciteteve në dispozicion të aleatëve për ruajtjen e paqes.
Në përmbyllje të fjalimit të saj, presidentja Justina Shiroka-Pula shprehu gatishmërinë që Republika e Kosovës të jetë nikoqire e takimit të ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni, duke vlerësuar se një organizim i tillë do të forconte dialogun dhe bashkëpunimin rajonal. /E.A/
