UBT News

Shiroka-Pula kërkon mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka kërkuar mbështetjen e mëtejshme të Zvicrës për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimin e procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Këtë kërkesë e bëri gjatë një takimi të zhvilluar në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, i cili njëkohësisht kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, Shiroka-Pula lartësoi marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve dhe shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës. Ajo theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe promovimin e investimeve zvicerane në Kosovë.

Presidentja veçoi mundësitë që ofron marrëveshja me Asociacionin Evropian të Tregtisë së Lirë (EFTA) për zgjerimin e partneritetit ekonomik, si dhe vlerësoi lart rolin e mërgatës shqiptare në Zvicër si urë kryesore lidhëse mes dy popujve. Po ashtu, u shpreh mirënjohje për angazhimin e palodhshëm të kontingjentit zviceran në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999.

Nga ana e tij, diplomati zviceran Ignazio Cassis rikonfirmoi përkushtimin e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës edhe në të ardhmen. /E.A/

Exit mobile version