UBT News

Shfaqja “Nyja e Gidonit” sonte dhe nesër në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Drama “Nyja e Gidionit”, me autore Johnna Adams dhe nën regjinë e Hana Qenës, ngjitet sonte dhe nesër në skenë për të ofruar një përballje të fuqishme emocionale që zë fill brenda mureve të një klase shkolle.

Kjo hapësirë, që zakonisht simbolizon edukimin, në këtë produksion shndërrohet në një territor tensioni dhe sfide ku takimi mes një nëne dhe një mësueseje tejkalon kornizat e një dialogu të thjeshtë.

Përmes interpretimeve të aktoreve Irena Aliu dhe Maylinda Kosumovic, shfaqja zbërthen në kohë reale një përplasje botëkuptimesh mbi përgjegjësinë prindërore, dhunën dhe bullizmin në shkollë, duke e vendosur publikun përballë një nyjeje të pazgjidhshme morale.

Realizimi i kësaj drame ka bërë bashkë një ekip profesionistësh, ku dramaturgjia është punuar nga Zoga Çeta Çitaku, ndërsa vizualiteti i skenës mban vulën e skenografit Burim Arifi dhe kostumografes Hana Zeqa.

Atmosfera plotësohet nga muzika e kompozitorit Ger Kacerja dhe elementet e veçanta të animacionit, të realizuara nga Flaka Kokolli, Elsa Talla, Leonita Thaqi dhe Diellza Franca.

Pjesë e rëndësishme e projektit janë edhe asistentja e regjisë Fluturë Nishori, inspicientja Nazmije Krasniqi, dizajnerja Nita Qahili dhe fotografi Kushtrim Haxha.

Shfaqja, e cila trajton tematika jetike të sistemit arsimor dhe marrëdhënieve njerëzore, i pret shikuesit sonte dhe nesër me fillim nga ora 20:00.

 

Exit mobile version