Sot, më 27 mars, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Teatrit, në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë do të jepet premiera e shfaqjes “Më e vërtetë se e vërteta”, duke filluar nga ora 19:00.
Shfaqja, me tekst të Martial Courcier dhe regji nga Kastriot Saqipi, sjell në skenë një temë aktuale dhe tejet të ndjeshme: ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në perceptimin e realitetit.
Në role interpretojnë aktorët Bleron Hevziu, Elza Krasniqi dhe Erion Fetahu, të cilët përmes personazheve të tyre trajtojnë kufirin gjithnjë e më të paqartë mes të vërtetës dhe manipulimit.
Vepra ngre pyetje thelbësore për kohën moderne: çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme në një botë ku informacioni mund të krijohet, modifikohet dhe shpërndahet lehtësisht nga inteligjenca artificiale. Përmes një qasjeje artistike dhe reflektuese, shfaqja pasqyron sfidat që lindin kur realiteti fillon të ndërtohet nga teknologjia.
Në realizimin e kësaj premiere kanë kontribuar edhe Lendi Aliu si asistent regjisor, Artan Hasani në skenografi, si dhe Skender Latifi në dizajnin e ndriçimit.
Kjo premierë vjen si pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Teatrit, duke rikujtuar rëndësinë e artit skenik si një pasqyrë e shoqërisë dhe një hapësirë për reflektim mbi zhvillimet bashkëkohore.
