UBT News

Shenjat e para të sëmundjes Alzheimer shfaqen në sy

Sytë përveç se janë një dritare për shpirtin, siç thuhet, janë edhe pasqyrë e shëndetit mendor.

“Sytë janë dritarja e trurit. Ju mund të shihni drejtpërdrejt në sistemin nervor duke parë në pjesën e prapme të syrit, drejt nervit optik dhe retinës”, thotë okulisti Dr. Christine Greer, drejtore e edukimit mjekësor në Institutin e Sëmundjeve Neurodegjenerative në Boca Raton, Florida.

Tani, kërkimet shkencore po shqyrtojnë nëse sytë dhe ekzaminimi i tyre mund të ndihmojnë në diagnostikimin e Alzheimerit përpara se të shfaqen simptomat e para.

“Sëmundja e Alzheimerit fillon në tru disa dekada përpara simptomave të para të humbjes së kujtesës”, shpjegon neurologu Dr. Richard Isaacson.

Por sa herët mund të shfaqen shenjat e sëmundjes? Për të zbuluar këtë, shkencëtarët ekzaminuan indet e retinës dhe trurin e 86 njerëzve me shkallë të ndryshme të prapambetjes mendore.

“Kërkimi ynë është i pari që ofron analiza të detajuara të profileve të proteinave dhe efekteve molekulare, qelizore dhe strukturore të sëmundjes së Alzheimerit në retinën e njeriut dhe dëshmi se si këto reagojnë ndaj ndryshimeve në tru dhe funksionin kognitiv”, thekson kreu i hulumtimit Maya Coronio-Hamaoui, profesoreshë e neurokirurgjisë në Cedars-Sinai në Los Angeles.

“Këto ndryshime në retinë u shoqëruan me ndryshime në pjesë të trurit, në korteksin entorhinal dhe temporal”, shton ajo.

Shkencëtarët mblodhën mostra të retinës dhe indeve të trurit gjatë 14 viteve nga 86 donatorë me sëmundjen e Alzheimerit, numri më i madh i mostrave të retinës të studiuara ndonjëherë.

Hulumtimi, i publikuar në shkurt në Acta Neuropathologica, zbuloi rritje të mëdha në proteinat “beta-amiloide”, një shënues kyç i sëmundjes, te njerëzit me Alzheimer dhe rënie të hershme njohëse.

Sipas studimit, qelizat mikrogliale u reduktuan me 80% te njerëzit me dëmtim njohës. Këto qeliza janë përgjegjëse për mbrojtjen, restaurimin dhe mirëmbajtjen e qelizave të tjera, por edhe heqjen e β-amiloidit nga truri dhe retina.

“Janë konstatuar edhe tregues të inflamacionit, të cilët mund të jenë një tregues po aq i rëndësishëm për ecurinë e sëmundjes”, vë në dukje neurologja dr. Richard Isaacson.

“Gjetjet ishin gjithashtu të dukshme te njerëzit pa simptoma ose me simptoma minimale njohëse, duke sugjeruar që këto teste të reja të syve mund të ndihmojnë me diagnozën e hershme” shton ai.

Atrofia e indeve dhe inflamacioni në qelizat në periferi të retinës ishin treguesit më të qartë të sëmundjes, sipas studimit.

“Këto gjetje mund të çojnë përfundimisht në zhvillimin e teknikave imazherike që do të na lejojnë të diagnostikojmë sëmundjen e Alzheimerit më herët dhe më saktë, por edhe të monitorojmë përparimin e saj në mënyrë jo invazive duke ekzaminuar sytë”, përfundoi Isaacson.

Exit mobile version