Rruga “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë është shembur plotësisht si pasojë e rrëshqitjes së dheut, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.
Sipas njoftimit, ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprime për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Inspekcionit, KEDS, Ujësjellësit dhe Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e zonës dhe parandalimin e rrezikut për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se segmenti rrugor është bllokuar plotësisht për qarkullim.
“Rruga është e bllokuar për qarkullim. Lusim qytetarët që të shmangin këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren”, thuhet më tej.
Komuna ka bërë të ditur se për çdo zhvillim të ri, qytetarët do të njoftohen me kohë.
