Presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP-së) ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë duke i akuzuar për ndërhyrje në hetimet e gjykatës. Ajo i ka quajtur sulmet ndaj gjykatës si “të tmerrshme”.
“Gjykata po kërcënohet me sanksione ekonomike të ashpra nga një anëtar i përhershëm të Këshillit të Sigurimit sikur gjykata të ishte një organizatë terroriste”, tha gjyqtarja Tomoko Akane gjatë fjalimit në takimin vjetor të këtij institucioni.
Zonja Akane i referohej vërejtjeve të bëra nga senatori amerikan Lindsey Graham, partia republikane e të cilit do të kontrollojë të dy dhomat e Kongresit në janari. Senatori Graham e krahasoj gjykatën me një “shaka të rrezikshme” dhe i kërkoi Kongresit të vinte sanksione ndaj prokurorit të saj. “Kam një mesazh për aleatët, për Kanadanë, Britaninë, Gjermaninë, Francën, nëse përpiqeni të ndihmoni Gjykatën Ndërkombëtare Penale, ne do t’ju vëmë sanksione”, tha Senatori Graham gjatë një interviste për rrjetin amerikan ‘Fox News’.
Senatori Graham u zemërua nga njoftimi i muajit të kaluar se gjyqtarët kishin pranuar një kërkesë nga kryeprokurori i gjykatës Karim Khan për të lëshuar urdhër-arreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe për shefin ushtarak të Hamasit për krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën 14 mujore në Gazë.
Kjo shënon herën e parë që gjykata globale e drejtësisë lëshon urdhër arrest për udhëheqësin e një aleati të rëndësishëm perëndimor.
Sfidat e GJNP-së me urdhrat për arrestimin e udhëheqësve
Kërcënimet e Senatorit Graham nuk shihen si fjalë boshe.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump, gjatë mandatit të parë, sanksionoi prokurorin e mëparshëm të gjykatës, Fatou Bensouda, me një ndalim udhëtimi dhe ngrirje të pasurive për shkak të hetimit të trupave amerikane dhe zyrtarëve të inteligjencës në Afganistan.
Kryetarja e Gjykatës Akane, u shpreh ashpër edhe për Rusinë. “Disa zyrtarë të zgjedhur po përballen me urdhër-arreste nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit”, tha ajo. Moska lëshoi urdhër arrest për kryeprokurorin e gjykatës Khan dhe të tjerë në përgjigje të hetimit ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.
Asambleja e Shteteve, e cila përfaqëson 124 vendet anëtare të GJNP-së, do të mbajë konferencën e saj të 23-të për të zgjedhur anëtarët e komitetit dhe për të miratuar buxhetin e gjykatës.
GJNP u krijua në vitin 2002 për të ndjekur penalisht individët përgjegjës për krime e luftës, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresionit. Gjykata përfshihet vetëm kur kombet nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë t’i ndjekin penalisht këto krime në territorin e tyre. Deri më sot, 124 vende kanë nënshkruar Statutin e Romës, i cili krijoi gjykatën. Izraeli, Rusia dhe Kina nuk e kanë nënshkruar Statutin e Romës.
GJNP nuk ka forcë zbatuese dhe mbështetet në shtetet anëtare për të ekzekutuar urdhër-arrestet.
Vendimi për të lëshuar urdhra të tillë për Kryeministrin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, është denoncuar nga kritikët e gjykatës. Vendimi ka marrë mbështetje të rezervuar nga shumë prej mbështetësve të saj, një dallim i madh me mbështetjen e fuqishme që u dha vitin e kaluar për urdhër-arrestin kundër Presidentit rus Putin për krimet e luftës në Ukrainë.
Presidenti Joe Biden i quajti urdhrat e arrestit për zotin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes “ofendues” dhe u zotua të mbështesë Izraelin. Një vit më parë, Presidenti Biden e quajti urdhër-arrestin për Presidentin Putin “të justifikuar” dhe tha se Presidenti rus kishte kryer krime lufte. Shtetet e Bashkuara nuk janë vend anëtar i GJNP-së.
Franca tha se do të “respektonte detyrimet e saj”, por do të duhej të shqyrtonte imunitetin e mundshëm të zotit Netanyahu. Kur u shpall urdhri për Presidentin Putin, Franca tha se do t’i japë “mbështetjen e saj punës thelbësore” të gjykatës.
Austria dhe Italia nuk u pajtuan me urdhrat e arrestit, por thanë se do t’i zbatojnë ato. Gjermania tha se do ta studionte vendimin. Anëtarja e Gjykatës Hungaria ka thënë se do të qëndrojë me Izraelin në vend të gjykatës.
Ekspertja e sigurisë globale, Janina Dill, shprehu shqetësim se përgjigje të tilla mund të minojnë përpjekjet për drejtësinë globale. “Kjo me të vërtetë ka potencialin të dëmtojë jo vetëm gjykatën, por ligjin ndërkombëtar”, tha ajo për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’.
Milena Sterio, eksperte në të drejtën ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Klivlendit, i tha agjencisë ‘Associated Press’ se sanksionet kundër gjykatës mund të prekin një numër njerëzish që kontribuojnë në punën e gjykatës, siç është avokatja ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amal Clooney. Zonja Clooney e këshilloi prokurorin aktual për kërkesën e tij për urdhër-arrestet për Kryeministrin Netanyahu dhe të tjerët.
“Sanksionet janë një barrë e madhe”, tha zonja Sterio.