UBT News

​Shefi i ushtrisë izraelite: Duhet ta pranojmë marrëveshjen për pengjet

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ka deklaruar se ekziston një marrëveshje në tryezë për pengjet e mbetura në Gaza, raportojnë mediat izraelite.

Gjeneral Lejtnant Eyal Zamir raportohet të ketë thënë se ushtria izraelite ka krijuar kushtet për një marrëveshje dhe se tani vendimi është në duart e kryeministrit Benjamin Netanyahu, raporton Channel 13 News, sipas BBC.

Të martën, kabineti i sigurisë së Izraelit pritet të diskutojë propozimin më të fundit të ndërmjetësve rajonalë, të cilin Hamasi e ka pranuar një javë më parë.

Ky zhvillim vjen pas demonstratave masive në Izrael këtë muaj, ku qindra mijëra qytetarë u mblodhën në Tel Aviv duke kërkuar fundin e luftës në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve tha se Zamir shprehu “atë që shumica e izraelitëve po kërkojnë”, përfshirë një marrëveshje për kthimin në shtëpi të të gjithë 50 pengjeve të mbetur, prej të cilëve besohet se 20 janë gjallë, si dhe fundin e luftës.

Grupi ka paralajmëruar një tjetër ditë protestash masive të martën.

Propozimi më i fundit, nga ndërmjetësit në Egjipt dhe Katar, thuhet se bazohet në një kornizë të avancuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff në qershor.

Ai parasheh që Hamasi të lirojë rreth gjysmën e pengjeve në dy faza gjatë një armëpushimi fillestar 60-ditor. Po ashtu do të zhvilloheshin negociata për një armëpushim të përhershëm.

Zyra e Netanyahut kishte deklaruar më herët se Izraeli do të pranonte marrëveshje vetëm nëse të gjithë pengjet lirohen menjëherë.

Të shtunën, avionë dhe tanke goditën pjesë të qytetit të Gazës, teksa Izraeli vazhdoi planin për të marrë nën kontroll zonën më të madhe urbane të territorit.

 

Exit mobile version