Shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, ka takuar sot zëvendësin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani si dhe zëvendësin e Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj.
Në këtë takim që u zhvillua në Burgun e Sigurisë së Lartë, bëhet e ditur se Davenport ka shprehur gatishmërinë për të rritur mbështetjen në trajnime profesionale dhe pajisje për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Ndërkaq në anën tjetër, Selmani e ka njoftuar ambasadorin rreth punës dhe të arriturat e SHKK-së transmeton Klankosova.tv.
“Gjatë takimit, Selmani e njoftoi ambasadorin Davenport për të arriturat dhe sfidat e SHKK-së, reformat, menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë “Covid 19” brenda institucioneve korrektuese, e po ashtu edhe mbi programet trajnuese për stafin korrektues dhe të burgosurit”, bëhet e ditur në njoftim.
Pas takimit, Selmani dhe Davenport kanë takuar stafin korrektues, stafin shëndetësor, hapësirat dhe punëtoritë e të burgosurve brenda BSL-së.