Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ushtarake në ishullin Qeshm të Iranit, i cili gjendet në Ngushticën e Hormuzit, kanë konfirmuar zyrtarë amerikanë për rrjetin CBS. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se të hënën janë dëgjuar disa shpërthime radhazi në ishull.
Zyrtarët amerikanë i përshkruan sulmet si mbrojtëse dhe të kufizuara, duke sqaruar se ato erdhën si përgjigje ndaj veprimeve të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, i cili kishte shënjestruar një avion ushtarak amerikan.
Ky veprim ushtarak vjen në prag të zgjedhjeve të sotme të mesmandatit në SHBA, që do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit. Presidenti Donald Trump është përballur me presion edhe nga brenda partisë së tij për t’i dhënë fund konfliktit të hapur që filloi në shkurt pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit.
Pavarësisht goditjes, Trump deklaroi se nuk ka nxitim për të shkallëzuar më tej sulmet.
“Në një mënyrë ose në një tjetër, ne do të bëjmë diçka, por nuk ka nxitim. Ne i gjymtuam financiarisht. Ata nuk kanë para, nuk kanë benzinë dhe populli i tyre po lodhet shumë nga kjo”, tha Trump për agjencinë Axios.
Paralelisht me veprimet ushtarake, diplomacia vazhdon pas skenës. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, konfirmoi për IRNA-n se po zhvillohen bisedime “shumë intensive” me SHBA-në nëpërmjet ndërmjetësve. Ai theksoi se Teherani është i përgatitur si për skenarë diplomatikë ashtu edhe ushtarakë, duke i lënë në dorë Uashingtonit të zgjedhë mes rrugës së negociatave ose gabimit të agresionit. /BBC/
