Rusia ka grumbulluar mijëra ushtarë pranë kufirit me Ukrainën dhe në Gadishullin e aneksuar të Krimesë, por i ka lënë shumë njerëz të hamendësojnë për planet dhe synimet e saj.
Të njëjtën gjë e ka bërë edhe pas video-bisedës që presidenti rus, Vladimir Putin, ka zhvilluar të martën me presidentin amerikan, Joe Biden.
Kremlini ka lëshuar një deklaratë për këto bisedime, gati dy orë pasi Shtëpia e Bardhë ka publikuar deklaratën e saj.
Deklarata e Kremlinit është shumë më e gjatë. I referohet Luftës së Dytë Botërore dhe një “përgjegjësie të veçantë” të përbashkët për sigurinë ndërkombëtare.
Përveçse flasin për të njëjtin takim, dy deklaratat kanë pak gjëra të përbashkëta. Ato i përshkruajnë bisedimet për të njëjtat çështje në mënyra çuditërisht të ndryshme.
Për shembull: Biden “ka shprehur shqetësimet e thella të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë evropianë për rritjen e numrit të forcave ruse përreth Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë.
Në përgjigje, sipas Kremlinit, Putin ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta fajësojnë Rusinë për tensionet. Putin ka fajësuar NATO-n.
Por, duke bërë këtë, Putin ka dhënë deklarata të pabaza se aleanca perëndimore “po bën përpjekje të rrezikshme për të pushtuar territorin ukrainas”. Këtë gjë, në fakt, e ka bërë vetë Rusia kur ka pushtuar Krimenë në vitin 2014.
E vetmja gjë specifike për të cilën duket se kanë rënë dakord dy presidentët është se “midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë do të ketë bisedime të tjera”.
Por, bisedime për çka?
Deklaratat e dy palëve dallojnë thelbësisht për sa i përket përmbajtjes dhe kontekstit në këtë pikë, duke reflektuar pozicionet e kundërta për atë që po ndodh në Ukrainë, si dhe për sigurinë në Evropë në përgjithësi.
Ato po ashtu lënë derën gjerësisht të hapur për zhgënjim dhe mosmarrëveshje në të ardhmen.
Deklarata ruse sugjeron se bisedimet e reja do të përqendrohen në ato që Moska i quan “garanci të sigurisë”, të cilat i ka kërkuar me vite.
Putin i ka parashtruar kërkesat e tij në komentet që ka bërë më 1 dhjetor, duke thënë se Rusia do të bëjë presion për të siguruar garanci formale, se NATO-ja nuk do të zgjerohet më tej në lindje, përfshirë me Ukrainën, dhe se “sistemet e armëve që përbëjnë kërcënim” për Rusinë, nuk do të vendosen “në afërsi” të kufijve rusë.
Deklarata e Kremlinit për bisedimet Biden-Putin i përsërit këto fjalë me një ndryshim te pjesa për armët. Sipas deklaratës, Rusia “është seriozisht e interesuar që të marrë garanci të besueshme, ligjërisht të detyrueshme, të cilat e përjashtojnë zgjerimin e NATO-s drejt lindjes” dhe vendosjen e disa llojeve të armëve në vendet, me të cilat ndan kufij.
“Udhëheqësit ranë dakord që t’i angazhojnë përfaqësuesit e tyre në konsultime të hollësishme për këto çështje të ndjeshme”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja – për të mos përmendur Kievin – thonë se Rusia nuk mund ta ketë të drejtën e vetos ndaj Ukrainës ose ndonjë vendi tjetër që bashkohet me aleancën perëndimore.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë e vendos marrëveshjen për bisedime të reja në kontekstin e shqetësimeve të Perëndimit për kërcënimin rus ndaj Ukrainës.
Biden “ka përsëritur mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe ka bërë thirrje për shtensionim [të situatës] dhe kthim në diplomaci”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
“Të dy presidentët i ngarkuan ekipet e tyre për ndjekjen e zhvillimeve dhe SHBA-ja do ta bëjë këtë në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët”, thekson deklarata.