Aleanca e NATO-s ka nisur një proces gradual për optimizimin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë, proces ky që do të zhvillohet në bashkëpunim me të gjithë aktorët relevantë. Në një përgjigje për Telegrafin, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë të ditur se prioritet kryesor i Uashingtonit mbetet stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Sipas zëdhënësit të ambasadës amerikane, gjatë kësaj periudhe pritet vazhdimi i bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë në Kosovë, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. SHBA-ja vlerësoi përkushtimin e misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.
Ky zhvillim vjen në kohën kur KFOR-i po zbaton riorganizimin e trupave në terren, përfshirë edhe praninë te ura e Ibrit në Mitrovicë. Lidhur me hapjen e mundshme të urës për qarkullim, misioni ushtarak ka ripersëritur se ky vendim u takon institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. /E.A/
