UBT News

SHBA renditet e fundit në kujdesin shëndetësor midis 11 vendeve më të pasura

SHBA është e fundit në një renditje të sistemeve të kujdesit shëndetësor midis 11 prej vendeve më të pasura në botë, pavarësisht se shpenzon përqindjen më të lartë të Bruto Produktit të saj në kujdesin shëndetësor, sipas një raporti të ri nga Fondi i Komonuelthit.

Vendi lufton me probleme të thella në përballueshmërinë e kujdesit shëndetësor, i cili ndikon në aksesin dhe barazinë, dhe është vendi që ka më së shumti pengesa administrative kur merret me kujdesin shëndetësor. Kjo ndodh edhe pse SHBA shpenzon 17% të produktit të saj të brendshëm bruto për kujdesin shëndetësor, “shumë më lart” se 10 vendet e tjera, sipas raportit.

Vendet e tjera të analizuara në raport ishin Australia, Kanadaja, Franca, Gjermania, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Suedia, Zvicra dhe Britania e Madhe. Renditja bazohet në 71 masa në pesë fusha: aksesi në kujdes, procesi i kujdesit, efikasiteti administrativ, barazia dhe rezultatet e kujdesit shëndetësor, transmeton Klankosova.tv.

Raporti vëren se ndryshe nga vendet e tjera në studim, SHBA nuk ofron mbulim universal të kujdesit shëndetësor. Amerikanët kanë më shumë gjasa të kenë probleme në pagimin e faturave mjekësore dhe mohimi i sigurimit të tyre.

Një përqindje më e madhe e amerikanëve thonë se shpenzojnë shumë kohë në dokumente për faturat mjekësore, dhe mjekët raportojnë se kanë më shumë probleme në përshkrimin e ilaçeve për pacientët për shkak të mbulimit kufizues të sigurimit shëndetësor.

Një fushë në të cilën SHBA u rangua më mirë është procesi i kujdesit, ku amerikanët kanë më shumë gjasa të bëjnë kontroll mamografie dhe të marrin vaksina kundër gripit apo të kenë më shumë biseda me mjekun e tyre për ushqimin, pirjen e duhanit dhe përdorimin e alkoolit.

Statistikat shëndetësore pasqyrojnë realitetin e sistemit më të keq të kujdesit shëndetësor në listë: SHBA ka shkallët më të larta të vdekshmërisë foshnjore, nënave dhe vdekjeve tjera që mund të shmangen. Vendi gjithashtu ka më pak mbështetje për arsimin e hershëm dhe sistemet mbështetëse, si mbrojtja e papunësisë, për punëtorët, duke çuar në rezultate më të dobëta shëndetësore.

Exit mobile version