UBT News

SHBA: Presim që plani i Qeverisë për xhandarmërinë të jetë në përputhje me zotimet për ruajtjen e paqes

Shtetet e Bashkuara presin që plani i Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë të jetë “në përputhje me zotimet e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i cili shtoi se po “monitorojmë njoftimet e fundit sa i përket propozimit për krijimin e një force xhandarmërie në Kosovë”.

Më 19 maj, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës. Ai tha se është nënshkruar dokumenti për krijimin e një grupi punues që do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e xhandarmërisë.
Sipas Sveçlës, kjo forcë do të ketë mision të qartë për ruajtjen e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave dhe mbrojen e infrastrukturës kritike.
Ndërkaq, nga NATO-ja, e cila që nga viti 1999 ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i thanë Radios Evropa e Lirë se po vëzhgojnë nga afër deklarimet e institucioneve në Kosovë për këtë çështje.
“U përket atyre që të komentojnë në më shumë detaje” për këtë çështje, tha një zyrtar i NATO-s.
KFOR-i, i cili është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë – pas Policisë së Kosovës dhe misionit për Sundim të Ligjit të BE-së, EULEX – veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtari i NATO-s tha se aleanca vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontribut për siguri të qëndrueshme për të gjithë.

Ndonëse nuk dihen detaje se cili do të jetë misioni i saktë i Xhandarmërisë që Kosova mëton ta themelojë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, i tha më herët Radios Evropa e Lirë se një forcë e tillë sigurie do të mund të merrte kompetenca për ruajtjen e kufirit me Serbinë, që aktualisht është në mandatin e KFOR-it.
Sipas tij, Kosova duhet të përgatitet për çdo ndryshim të rolit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ndonëse tha se beson se ky mision do të qëndrojë për vite apo edhe një dekadë në vend.
Në këtë drejtim, ai kujtoi se shteti dhe KFOR-i kanë një marrëveshje që Forca e Sigurisë së Kosovës – që është në proces të transformimit në ushtri – të mos shkojë në veri pa pëlqimin e misionit paqeruajtës, duke thënë se Xhandarmëria do të mund të plotësonte këtë boshllëk.

Vrajolli vlerësoi se Kosova nuk ka nevojë që të ketë një xhandarmëri që do të merrej me incidente të brendshme, pasi vlerëson se Policia e Kosovës është e aftë të ballafaqohet me to.
“Pikërisht fakti që vija kufitare mbrohet nga KFOR-i, KFOR ka përgjegjësi të zgjeruara në këtë fushë dhe nevojitet që ne të krijojmë institucionet tona që janë të gatshme ta zëvendësojnë KFOR-in kurdo që KFOR-i nuk është aty”, u shpreh ai.
Xhandarmëria është një forcë e sigurisë që ka karakter ushtarak dhe kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura.
Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.
Xhandarë kanë edhe shtete të tjera, përfshirë të NATO-s, sikurse është rasti i Francës. Në këtë shtet, Xhandarmëria është pjesë e forcave të armatosura. /REL/

Exit mobile version