UBT News

SHBA planifikon të zvogëlojë forcat e gatshme për NATO-n

Administrata e Donald Trump po planifikon t’u bëjë të ditur aleatëve të NATO se do të zvogëlojë kapacitetet ushtarake që Shtetet e Bashkuara do të kenë në dispozicion për të ndihmuar vendet evropiane të aleancës në rast krizash të mëdha ose konfliktesh ushtarake.

Sipas burimeve të njohura me çështjen, vendimi pritet të prezantohet gjatë një takimi të shefave të politikave të mbrojtjes në Bruksel. Ky veprim lidhet me strategjinë e Trumpit që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit dhe të mos varen aq shumë nga mbështetja amerikane.

Në kuadër të modelit të njohur si “NATO Force Model”, shtetet anëtare përcaktojnë një numër forcash që mund të aktivizohen në rast lufte, sulmi ndaj një vendi anëtar apo ndonjë krize tjetër madhore. Megjithatë, Pentagoni ka vendosur të zvogëlojë ndjeshëm angazhimin amerikan në këtë strukturë, edhe pse detajet e plota mbeten ende sekrete.

Burimet thanë se administrata amerikane ende nuk ka sqaruar se sa shpejt do të transferohen këto përgjegjësi tek aleatët evropianë, por ky ndryshim shihet si një sinjal konkret i politikës së re të Uashingtonit ndaj NATO-s. Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se SHBA-ja do të vazhdojë të ofrojë mbrojtjen bërthamore për aleancën, edhe nëse Evropa merr rol më të madh në forcat konvencionale.

Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh në rritje brenda aleancës. Javët e fundit, administrata Trump ka njoftuar për tërheqjen e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Evropa dhe anulimin e një dislokimi ushtarak në Poloni, vendime që kanë shkaktuar shqetësim te aleatët evropianë dhe kritikë në Kongresin amerikan.

Disa vende evropiane kanë shprehur frikën se Uashingtoni mund të reduktojë më tej praninë e tij ushtarake në kontinent, megjithëse diplomatët e NATO-s besojnë se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë Evropën në rast rreziku serioz. Nga ana tjetër, aleatët evropianë argumentojnë se po rrisin shpenzimet ushtarake dhe kapacitetet mbrojtëse, por theksojnë se ky proces kërkon kohë. /Reuters/

 

 

Exit mobile version