UBT News

SHBA planifikon ekzekutimin publik me pushkatim të ish-ushtarakut Nidal Hasan: Vendimi nxit reagime të ashpra

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka njoftuar se ekzekutimi i ish-majori të Ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve të paarmatosur në bazën Fort Hood në vitin 2009, është caktuar të kryhet më 3 dhjetor përmes skuadrës së pushkatimit.

Sipas zyrtarëve nga Departamenti i Mbrojtjes, ekzekutimi pritet të transmetohet drejtpërdrejt (livestream) për publikun, vendim ky që ka nxitur reagime të shumta juridike dhe etike. Nëse kjo realizohet, ky do të përbënte ekzekutimin e parë ushtarak me pushkatim në SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe transmetimin e parë të këtij lloji në historinë moderne të vendit.

Sekretari Hegseth mbrojti vendimin gjatë një interviste për mediat vieneze, duke deklaruar se Hasan “do të përballet me skuadrën e pushkatimit të përbërë nga ushtarët, ashtu siç i ka hije” dhe se publiku duhet të shohë pasojat e veprimeve të tilla të rënda. Vendimi për ekzekutim ka marrë edhe miratimin e Presidentit Donald Trump, i cili pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë ka shfuqizuar pezullimin e dënimeve me vdekje në nivel federal.

Vendimi ka nxitur reagime negative nga njohësit e së drejtës në SHBA. Ekspertët juridikë shprehen se transmetimi i drejtpërdrejtë është një hap i paqartë ligjërisht dhe më tepër një lëvizje për vëmendje mediatike se sa zbatim i drejtësisë.

Eugene R. Fidell, ligjërues në Shkollën Ligjore të Yale, e ka cilësuar idenë e transmetimit live si “diçka plotësisht nga Epoka e Mesme,” ndërsa avokati John Mills vuri në dukje se procesi i apelimit të Hasanit në gjykatat federale nuk ka përfunduar ende, gjë që mund ta pezullojë ekzekutimin.

Përveç pengesave ligjore, mbetet e paqartë se në cilën platformë do të mund të transmetohet ekzekutimi. Shumica e rrjeteve kryesore sociale si Meta (Facebook, Instagram) dhe TikTok e ndalojnë rreptësisht transmetimin e përmbajtjeve të tilla eksplicite, ndërsa platforma X aplikon kufizime të rrepta ndaj pamjeve të vdekjes.

Sipas të dhënave të Amnesty International, SHBA renditet ndër shtetet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë, krah Kinës, Iranit, Arabisë Saudite dhe Jemenit. Ekzekutimi i fundit ushtarak në SHBA ka ndodhur në vitin 1961 përmes varjes, ndërsa i fundit me skuadër pushkatimi daton në janar të vitit 1945.

/BBC/

Exit mobile version