Shtetet e Bashkuara kanë nisur zyrtarisht rishikimin e pranisë së tyre ushtarake në Evropë, në kuadër të një strategjie që synon t’i japë vendeve evropiane përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e kontinentit.
Lajmin e bëri të ditur Elbridge Colby, zyrtar i lartë në Departamentin amerikan të Mbrojtjes, i cili përmes një postimi në platformën X e cilësoi procesin si një “rishikim të vërtetë”. Sipas tij, synimi është që NATO të përshpejtojë përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës, në mënyrë që aleatët evropianë të marrin barrën kryesore për mbrojtjen konvencionale.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar prej vitesh nivelin e ulët të shpenzimeve për mbrojtje nga vendet evropiane të NATO-s. Megjithatë, gjatë muajve të fundit, disa shtete, përfshirë Gjermaninë, kanë rritur ndjeshëm buxhetet ushtarake për t’iu përgjigjur kërkesave të aleancës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte paralajmëruar këtë rishikim gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel në muajin qershor. Ai deklaroi se procesi pritet të zgjasë rreth gjashtë muaj.
“NATO ka qenë për shumë kohë një tigër letre dhe një rrugë me një drejtim, por kjo periudhë ka përfunduar”, ishte një nga deklaratat më të forta të Hegseth, i cili, megjithatë, pranoi se aleatët evropianë kanë bërë përparim në forcimin e kapaciteteve të tyre ushtarake.
Sipas tij, disa shtete të NATO-s nuk kanë përmbushur pritshmëritë e Uashingtonit, duke aluduar edhe për mungesën e mbështetjes ndaj operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit. SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, ndërsa shumica e aleatëve të NATO-s nuk u përfshinë në operacion. Veprimi amerikan është kritikuar nga një pjesë e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, të cilët e konsiderojnë atë të diskutueshëm nga pikëpamja ligjore.
Colby nuk dha detaje konkrete se cilat elemente të pranisë ushtarake amerikane do të preken nga rishikimi. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave amerikane, në shqyrtim janë numri i trupave të stacionuara në Evropë, si dhe reduktimi i avionëve luftarakë, dronëve, avionëve cisternë për furnizim me karburant në ajër dhe njësive detare.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 80 mijë trupa të dislokuara në Evropë.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes thekson se rishikimi synon të përshtatë praninë ushtarake me strategjinë e re të sigurisë kombëtare dhe realitetet aktuale gjeopolitike. Strategjia e administratës Trump, e prezantuar në fillim të vitit, e vendos theksin te mbrojtja e territorit amerikan dhe frenimi i ndikimit të Kinës, duke ruajtur njëkohësisht angazhimin ndaj NATO-s.
Më herët këtë vit, administrata amerikane kishte paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së një pjese të trupave nga Evropa, përfshirë Gjermaninë, duke shkaktuar reagime të forta në rajonet ku ndodhen bazat ushtarake amerikane.
Raportimet për shkallën e reduktimit kanë qenë të ndryshme. Disa media kanë përmendur mundësinë e tërheqjes së të paktën 5.000 ushtarëve nga Gjermania brenda gjashtë deri në dymbëdhjetë muajve. Gjithashtu, Uashingtoni ka pezulluar planet për vendosjen e raketave lundruese me rreze të gjatë në territorin gjerman.
Rishikimi i pranisë ushtarake amerikane pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO.
/DW//D.L/
