Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (DOJ) ka ngritur akuza penale ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani, të cilët akuzohen për përfshirje në një seri komplotesh terroriste në SHBA dhe Evropë, përfshirë një sulm të dështuar ndaj një baze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.
Sipas aktakuzës së bërë publike nga autoritetet amerikane, agjentët iranianë orkestruan një plan sulmi në bazën ushtarake ajrore “RAF Fairford” në Gloucestershire të Mbretërisë së Bashkuar, ku janë të vendosura forcat e armatosura amerikane. Të akuzuarit janë shtetasi iranian Mohsen Mohajeri, shtetasi irakian Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy shtetësi (iraniane-irakiane) Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi. Unë prej tyre akuzohet se ka komunikuar me kontaktet e tij në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Nju Jork, ku po pret gjykimin për akuza të mëparshme, ndërsa dy të tjerët kanë vepruar nga Irani.
Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhet se triot i ngarkohet përgjegjësia për planifikimin e sulmeve në Evropë nën emrin e një grupi fiktiv me pseudonimin “Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya” (HAYI). Nga 18 sulmet terroriste në Evropë për të cilat ky grup mori përgjegjësinë gjatë pranverës së këtij viti, shtatë prej tyre ndodhën në Britani, përfshirë zjarrvënie, përdorim eksplozivi dhe sulmin me thikë ndaj dy burrave çifutë në Londër.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se kjo aktakuzë dëshmon vendosmërinë e Iranit për të kryer sulme terroriste në Evropë dhe SHBA, duke shtuar se të akuzuarit ishin të përfshirë në afërsi të 20 përpjekjeve për sulme në mbështetje të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah.
Sa i përket ngjarjes në bazën ajrore britanike, hetimet tregojnë se në gusht dhe shtator al-Hassani kishte paguar bashkëpunëtorë në Britani për të kryer vëzhgime dhe për të siguruar logjistikën, përfshirë blerjen e furgonave, fuçive me lëndë djegëse dhe lëndëve kimike për shpërthim. Më 27 shtator, tre furgona të dyshimtë u pikasën nga një fermer lokal afër bazës “RAF Fairford”, gjë që çoi në ndërhyrjen e policisë dhe arrestimin e shtatë personave në Britani.
Teherani zyrtar i ka mohuar kategorikisht akuzat për përfshirje në incidentin e bazës ushtarake britanike. /BBC/
