E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka deklaruar se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji elektrike dhe se në të ardhmen do të varet gjithnjë e më shumë nga vendet fqinje.
Në një editorial të publikuar së fundmi, Prattipati theksoi se Kosova duhet t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror që janë planifikuar në rajonin e Ballkanit, duke vlerësuar se ato mund të ofrojnë një burim të qëndrueshëm energjie për vendin.
Sipas saj, gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike, do të plotësonte kapacitetet vendore dhe do të forconte partneritetin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji. Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, ka shkruar Prattipati.
Ajo paralajmëroi se Kosova duhet të veprojë shpejt për t’u bërë pjesë e këtyre projekteve, pasi mundësia për përfshirje po ngushtohet.
Sipas saj, vonesa në marrjen e një vendimi mund të bëjë që furnizimet amerikane me gaz natyror të lëngshëm të orientohen drejt vendeve të tjera, duke e lënë Kosovën si të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane.
Prattipati theksoi se administrata e presidentit Donald Trump ka prioritet uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse dhe ftoi Kosovën të ndërtojë një partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara.
“Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu”, ka deklaruar ajo.
