SHBA-ja pritet t’u kërkojë gjithë vizitorëve të huajë që të jenë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, raporton BBC.
Zyrtari ka thënë se administrata e presidentit Joe Biden i ka dhënë detyrë agjencive përkatëse për të krijuar një plan të rihapjes graduale për vizitorët e huaj.
Nuk është treguar afati kohor për këtë.
SHBA-ja ka parë rritje të numrit të rasteve, veçanërisht në mesin e personave të pavaksinuar, pas përhapjes së variantit Delta.
Me rregullat aktuale antiCOVID në SHBA shumica e udhëtarëve të huajë e kanë të ndaluar të futen në SHBA.
Kufizimet e para të udhëtimeve u vendosën ndaj Kinës në janar të vitit 2020.
Që nga atëherë, SHBA-ja ka zgjeruar ndalesën te qytetarët jo-amerikanë që së fundi e kanë vizituar Britaninë e Madhe, te 26 shtetet e bllokut Shengen në Evropë, më pas te Brazili, Irlanda, India, Irani e Afrika e Jugut.
Ata që mund të hyjnë në SHBA duhet të kenë edhe test negativ kundër COVID.
Të mërkurën, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se administrata po shikon për rihapje në mënyrë të sigurtë dhe se shtetasit e huaj që duan të hyjnë në SHBA – nga të gjitha shtetet – duhet të jenë plotësisht të vaksinuar.
Më tepër se 70 për qind e amerikanëve kanë marrë dozën e parë të vaksinës antiCOVID.