Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se forcat e Shteteve të Bashkuara do të përfundojnë misionin e tyre luftarak në Irak, në fund të këtij viti, mirëpo do të vazhdojnë të trajnojnë dhe këshillojnë ushtrinë irakiane.
Ky njoftim ka ardhur pasi Biden ka biseduar me kryeministrin irakian, Mustafa al-Kadhimi në Shtëpi të Bardhë.
Aktualisht janë rreth 2,500 trupa amerikane në Irak, të cilat iu ndihmojnë forcave lokale që të përballen me atë që ka mbetur nga grupi militant, Shteti Islamik (IS).
Numri i trupave amerikane pritet të vazhdojë të jetë i njëjtë dhe ky hap po konsiderohet si përpjekje për t’i ndihmuar kryeministrit irakian.
Prezenca amerikane në Irak është kthyer në çështje madhore, prej kur gjenerali iranian, Qasem Soleimani dhe lideri i një milicie myslimane shiite, janë vrarë përmes një droni amerikan, në kryeqytetin irakian Bagdad, vitin e kaluar.
Partitë politike të lidhura me Iranin, kanë kërkuar tërheqjen e të gjitha forcave të koaliconit global të udhëhequr nga SHBA-ja kundër IS-it, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme nga grupi xhihadist sunit.
Ndërkohë, milicia shiite është akuzuar nga SHBA-ja për kryerje të qindra sulmeve me raketa, mortaja dhe dronë në bazat ushtarake irakiane, në të cilat strehohen forcat e koalicionit.
Për presidentin amerikan, ky njoftim përbën dhënien fund edhe të një lufte, që ka nisur nën udhëheqësinë e ish-presidentit amerikan, George W. Bush.
Këtë vit, ai ka thënë se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani.
Duke folur në Shtëpi të Bardhë, Biden i ka thënë homologut të tij irakian se “bashkëpunimi ynë kundër terrorizimit do të vazhdojë edhe pse hyjmë në këtë fazë të re”.
Kadhimi, në anën tjetër, ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të fuqishme se kurrë.
“Bashkëpunimi ynë do të jetë për ekonomi, ambient, shëndetësi, edukim, kulturë e tjera”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka instituar se asnjë forcë e huaj luftarake nuk është e nevojshme në Irak.
Forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë pushtuar Irakun më 2003 për të rrëzuar nga pushteti ish-presidentin, Saddam Hussein.
Më pas ish-presidenti George W. Bush, është zotuar për “Irak të lirë dhe paqësor”, mirëpo më pas ky vend është përfshirë nga një kryengritje e përgjakshme sektare.
Forcat luftarake amerikane janë tërhequr më 2011.
Megjithatë, ato janë kthyer me kërkesë të Qeverisë irakiane tre vjet më vonë, kur militantët e IS-it kanë fituar kontrollin e një pjese të territorit.
Pas mposhtjes së IS-it në Irak, në fund të vitit 2017, forcat amerikane kanë qëndruar në këtë shtet, për të parandaluar rikthimin e aktiviteteve të grupit terrorist.
“Roli ynë në Irak do të jetë që të jemi të qasshëm për të vazhduar trajnimin, ndihmën dhe përballjen me IS-in”, ka thënë Biden.
“Mirëpo ne nuk do të jemi, deri në fund të vitit, në mision luftarak”, ka thënë mes tjerash ai.
Departamaneti amerikan i Shtetit ka theksuar po ashtu se trupat amerikane janë në Irak me ftesë të qeverisë atje, dhe se SHBA-ja respekton sovranitetin e Irakut./REL