Shtetet e Bashkuara kanë filluar ta vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Iranit për t’iu kthyer zbatimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila kishte kufizuar aktivitetet bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
“Ne nuk e dimë nëse Irani ka për qëllim t’i kthehet zbatimit të marrëveshjes”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin, Robert Malley.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq në maj të vitit 2018 nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione të ashpra që kanë shkatërruar ekonominë e Iranit.
Teherani ka reaguar duke ulur gradualisht angazhimet e tij sipas marrëveshjes dhe duke intensifikuar aktivitetin e tij bërthamor, që përfshin prodhimin e uraniumit pastërtinë 60 për qind. Për armë bërthamore përdoret uraniumi me pastërtinë 90 për qind.
Në Vjenë të Austrisë, muajt e fundit, janë mbajtur disa raunde të bisedimeve me ndërmjetësimin e evropianëve për të ringjallur marrëveshjen, mirëpo deri më tani nuk është shënuar ndonjë rezultat.
Malley shtoi se Uashingtoni është i shqetësuar se Teherani mund të marrë një qëndrim më të ashpër në bisedimet e Vjenës.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Uashingtoni do të bëhet sërish pjesë e marrëveshjes nëse Teherani së pari i kthehet zbatimit të saj të plotë.
Malley tha se të dy palët ende mund të arrijnë një marrëveshje për një kthim reciprok në respektimin e marrëveshjes, duke shtuar se Uashingtoni është i përgatitur të bëjë “kompromise të vështira”.
Në anën tjetër presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka thënë se do të kërkojë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund sanksioneve kundër vendit të tij./REL/