Pentagoni dhe kongresistët republikanë të martën shprehën shqetësime të reja rreth përforcimit të forcave bërthamore të Kinës, pasi një raport i ri tha se Pekini është duke ndërtuar 110 vendqëndrime shtesë për raketa.
Në raportin e hartuar nga Federata Amerikane e Shkencëtarëve, të publikuar të hënën, thuhet se pamjet satelitore tregojnë që Kina është duke ndërtuar një fushë të re me vendqëndrime afër Hamit, në pjesën lindore të rajonit Xinjiangut.
Raporti erdhi disa javë pas një raporti tjetër për ndërtimin e rreth 120 vendqëndrimeve për raketa në Yumen, zonë shkretinore, shkruan Reuters.
“Kjo është hera e dytë në dy muaj që publiku e ka zbuluar atë që ne e kemi thënë gjithmonë rreth rritjes së rrezikut me të cilin përballet bota dhe perden e fshehtësisë që e rrethon atë”, tha Komanda Strategjike e ShBA-së përmes një postimi në rrjetet sociale.
Departamenti i Shtetit në fillim të korrikut deklaroi se përforcimi i aseteve bërthamore të Kinës është shqetësues dhe tha se duket që Pekini është duke devijuar nga strategjia bërthamore e mbështetur në mbrojtje minimale.
Mike Rogers, kongresist republikan dhe anëtar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Armatosura, tha se përforcimi i Kinës e shfaq nevojën për modernizim të shpejtë të kapaciteteve parandaluese bërthamore të ShBA-së.
Ndryshe, Uashingtoni disa herë i ka bërë thirrje Kinës që t’u bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në një traktat të ri për kontrollin e armëve.