SHBA-të me anë të ambasadores së tyre në OKB i kanë komunikuar Këshillit të Sigurisë të mbledhur ditën e sotme se është e gatshme të shkojë në Izrael për të shërbyer si ndërmjetës për të garantuar paqen në rajon.
“SHBA-të kanë punuar në mënyrë të palodhur nëpërmjet kanaleve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, sepse ne besojmë se izraelitët dhe palestinezët kanë të drejtën e barabartë për të jetuar në paqe dhe siguri”- ka thënë ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield.
Ky ishte takimi i dytë i Këshillit të Sigurisë për këtë javë që kishte në krye të axhendës diskutimet për konfliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve, ku thirrjet e komunitetit ndërkombëtar nuk kanë mjaftuar për të arritur në një armëpushim, përkundrazi të dyja palët kërcënojnë se do të shtojnë ritmin e sulmeve përkundrejt kundështarët.
Vullneti i SHBA-ve për të shërbyer si ndërmjetës është mirëpritur dhe nga shtetet arabe, pasi ndryshe nga administrata Trump që ishte shumë e anshme në favor të Izraelit, Shtëpia e Bardhë nën drejtimin e Biden është më neutrale dhe shtyn idenë se çdo zgjidhje mes palestinezëve dhe izraelitëve duhet të vijë me konsensus nga të dy palët.