E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim zyrtar me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për të diskutuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në sektorët e energjisë dhe minierave.
Gjatë këtij takimi, Prattipati rikonfirmoi përkushtimin e Ambasadës amerikane për krijimin e mundësive të reja për bizneset nga Shtetet e Bashkuara, me fokus të veçantë tek ato që operojnë në sektorin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe në industrinë minerare.
Duke vlerësuar ecurinë e bisedimeve, diplomatja amerikane u shpreh se “ne mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm në fusha që promovojnë prosperitetin e ndërsjellë” mes dy vendeve.
Të dyja palët konfirmuan vullnetin për të forcuar lidhjet ekonomike, duke synuar projekte që sjellin stabilitet energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm për Kosovën përmes investimeve strategjike amerikane.
