UBT News

SHBA dhe Irani pranë marrëveshjes për armëpushim, por negociatat mbeten të tensionuara

Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë afër arritjes së një marrëveshjeje për zgjatjen e armëpushimit, megjithëse disa çështje kyçe mbeten ende pa u zgjidhur. Këtë e bëri të ditur zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili tha se negociatat po vazhdojnë intensivisht mes dy palëve.

Në një intervistë për BBC, Vance deklaroi se është ende herët për të konfirmuar nëse presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqja iraniane do të finalizojnë marrëveshjen, por theksoi se palët janë “shumë afër”.

Sipas raportimeve, draft-marrëveshja parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë dhe nisjen e bisedimeve për të ardhmen e programit bërthamor iranian.

Zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar se tashmë është arritur një kornizë paraprake e marrëveshjes, ndërsa miratimi përfundimtar pritet nga Uashingtoni dhe Teherani. Megjithatë, tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të mbeten të larta.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se ka rrëzuar një dron amerikan dhe ka hapur zjarr ndaj një avioni luftarak amerikan që kishte hyrë në hapësirën ajrore iraniane, pa dhënë detaje të mëtejshme për incidentin.

Nga ana tjetër, Trump deklaroi gjatë mbledhjes së kabinetit se Irani po negocion “nën presion të madh”, duke paralajmëruar se SHBA-ja mund të rikthejë sulmet ajrore nëse nuk arrihet një marrëveshje sipas kushteve amerikane.

“Ndoshta duhet të kthehemi dhe ta përfundojmë, ndoshta jo”, tha presidenti amerikan.

Trump gjithashtu u bëri thirrje vendeve arabe të Gjirit që t’i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Ndërkohë, agjencia iraniane Tasnim raportoi se marrëveshja ende nuk është finalizuar zyrtarisht, ndërsa negociatat po vazhdojnë për çështje të ndjeshme, përfshirë pasurimin e uraniumit.

SHBA-ja prej kohësh kërkon që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe të eliminojë rezervat ekzistuese, për shkak të shqetësimeve se ato mund të përdoren për zhvillimin e armëve bërthamore. /BBC/

Exit mobile version