Këngëtari i njohur kanadez, Shawn Mendes, ka publikuar një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale në mbështetje të Palestinës, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të vrasjeve në Gaza dhe duke u kërkuar kolegëve të tij artistë që të mos heshtin.
Përmes një deklarate të shkruar, artisti 28-vjeçar e ka cilësuar situatën aktuale si gjenocid, duke theksuar se fëmijët dhe familjet palestineze kanë vuajtur tepër gjatë dhe kanë nevojë urgjente për ndihmë. Mendes ka bërë të ditur se është duke u informuar vazhdimisht për të kuptuar se si mund të kontribuojë dhe se tashmë ka dhuruar donacione për disa organizata humanitare, duke ftuar edhe ndjekësit e tij të veprojnë njëjtë.
“Miqtë e mi dhe kolegë artistë, e di që mund të duket e frikshme të flasësh hapur; e ndiej edhe unë tani teksa e shkruaj këtë… Por ndiej nevojën të bëj diçka për të ndihmuar. Sa më shumë prej nesh ta përdorin zërin, aq më afër ndryshimit jemi. Këta fëmijë në Palestinë janë detyruar të jenë trima për një kohë të gjatë. Tani është radha jonë të bëjmë të njëjtën gjë”, ka shkruar Mendes.
Në mbyllje të reagimit të tij, këngëtari ka bërë thirrje që të normalizohet ngritja e zërit në mbrojtje të atyre që vuajnë nga shtypja, duke listuar gjashtë hapa konkretë veprimi: dhuroni, edukohuni, inkurajoni, sfidoni, mbani përgjegjës ata që janë në pushtet dhe votoni. /E.A/
