Pas fitores ndaj Hungarisë në ndeshjen e parë, Zvicra u ndal me barazim në të dytën me Skocinë në kuadër të grupit A të Kampionatit Evropian të futbollit.
Në fakt, “helvetikët” ishin në disavantazh 1-0 pas golit të McTominay në minutën e 13’, por, ishte Xherdan Shaqiri ai i cili në minutën e 26’ realizoi një supergol për të barazuar në 1-1.
Pas ndeshjes, Shaqiri ka folur për golin e tij duke thënë se ishte një gol shumë i bukur.
“Ishte një gabim i kundërshtarit që e shfrytëzova maksimalisht. Mendova se thjesht do ta hidhja në këndin e shkurtër. Ishte një goditje perfekte. Është një gol shumë i bukur dhe i rëndësishëm. Ne donim të fitonim. Lojërat e mëdha janë bërë për mua”, tha Shaqiri.
Më tutje ai shtoi se edhe familja e tij tashmë po pret gjithmonë që ai të shënojë gola të tillë.
“Familja ime tani pret që unë të shënoj një gol të tillë në çdo turne. Por unë qëndroj në tokë, dua të ndihmoj skuadrën. Sot arrita ta bëj këtë me këtë qëllim. Statistikat janë të këndshme për t’u parë, shpresoj që ato të mbeten në kujtesën tuaj përgjithmonë. Ishte intensive sot dhe në fund të ditës ishte një barazim i drejtë”.
Pas dy ndeshjeve, Zvicra ka katër pikë në grupin A, dy më pak se Gjermania që është liderë e grupit dhe pikërisht këto dy skuadra do të ndeshjen në ballafaqimin e radhës.