Familja e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, është bërë viktimë e një përpjekjeje për zhvatje milionaeuroshe, ku janë përfshirë tre persona, mes të cilëve edhe një truprojë e pushuar nga puna pas tetë vitesh shërbimi. Ata tani përballen me akuzat për shantazh dhe zhvatje, ndërsa detajet e ngjarjes janë zbardhur nga autoritetet gjermane.
Sipas hetimeve, Markus Fritsche, truproja që ishte i angazhuar për mbrojtjen e familjes Schumacher, ka vjedhur më shumë se 1,500 skedarë konfidencialë nga rezidenca e tyre. Skedarët përfshinin informacione të ndjeshme, si fotografi, video, lista të barnave dhe historikun mjekësor të Michael Schumacherit, i cili ka jetuar i izoluar që nga aksidenti i rëndë i skive në dhjetor të vitit 2013. Fritsche dyshohet se i ka marrë këto skedarë nga shtëpia e Schumacherit, pasi ka mësuar se do të pushonte nga puna.
Për të realizuar zhvatjen, Fritsche së bashku me kolegun e tij të sigurisë, Yilmaz Tozturkan, dhe djalin e Tozturkan, Daniel Lins, kërkuan 15 milionë euro nga familja Schumacher në këmbim të mosbërjes publike të këtyre skedarëve të ndjeshëm. Ata planifikonin të shisnin informacionet në rrjetin e errët të internetit. Policia gjermane ka arrestuar tre të dyshuarit në korrik të vitit 2024, pasi më herët, më 3 qershor, Tozturkan kishte përdorur një numër të fshehur për të kërcënuar familjen Schumacher me kërcënimin e publikimit të skedarëve. Të dyshuarit janë në pritje të gjyqit, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik për përpjekjet e tilla të rrezikshme ndaj një prej familjeve më të njohura në botën e sportit.