UBT News

Shans i humbur nga Asllani, Interi kërkon alternativë për Calhanoglu

Cilësitë e Hakan Çalhanoglu janë të padiskutueshme, por dëmtimet dhe mungesat e tij të vazhdueshme kanë shtyrë drejtuesit e Interit të mendojnë për një alternativë të qëndrueshme në mesfushë. Kjo vendimmarrje është përforcuar pas performancës zhgënjyese të Kristjan Asllanit në derbin kundër Milanit, i cili konsiderohej një mundësi e artë për të treguar vlerat e tij.

Sipas raportimeve nga “La Gazzetta dello Sport”, Interi po kërkon një mesfushor me përvojë dhe personalitet, por me një kosto të ulët për të mos rënduar buxhetin. Dy emra intrigues në listë janë Joshua Kimmich, kontrata e të cilit me Bayern Munich skadon në vitin 2025, dhe Zambo Anguissa i Napolit, i cili mund të largohet me parametra zero nëse nuk rinovon deri në fund të sezonit.

Aktualisht, këto janë vetëm hipoteza, pasi realizimi i një operacioni të tillë do të varet nga miratimi i Oaktree, grupi që menaxhon financat e klubit. Drejtuesit e Interit po shqyrtojnë me kujdes opsionet për të siguruar një zëvendësues të denjë që mund të mbajë ritmin dhe cilësinë e kërkuar në mesfushë, ndërkohë që situata e Asllanit mbetet e paqartë./UBTNews/

 

Exit mobile version