Filmi “Shame and Money” (“Le prix et la valeur”), me regji të Visar Morinës, do të ketë premierën e tij franceze në Festivalin e Filmit në La Rochelle, një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në Francë.
Lajmi është bërë i ditur nga ekipi i filmit, i cili ka njoftuar se në javët në vijim do të zbulohen edhe premierat e tjera evropiane të projektit.
“Shame and Money” është një bashkëprodhim ndërkombëtar i realizuar nga Vicky Bane dhe Schuldenberg Films, në bashkëpunim me Eagle Eye Films Kosova, Vertigo Ljubljana, On Film Production, List Production dhe Quetzalcoatl.
Në rolet kryesore të filmit interpretojnë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica dhe Alban Ukaj, emra të njohur të kinematografisë shqiptare.
Filmi është shkruar dhe drejtuar nga Visar Morina, ndërsa bashkëskenariste e projektit është Doruntina Basha. Realizimi i tij është mbështetur nga një sërë institucionesh kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit, përfshirë Qendrën Kinematografike të Kosovës, Eurimages dhe fonde të tjera evropiane.
Përfshirja në Festivalin e Filmit në La Rochelle përbën një tjetër sukses për kinematografinë kosovare, ndërsa filmi pritet të vazhdojë rrugëtimin e tij në festivale dhe premiera të tjera ndërkombëtare gjatë muajve të ardhshëm.
