Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala ka thënë se në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje janë paraparë 140 aktivitete. Nga këto aktivitete të parapara, sipas saj, nga janari kanë filluar të zbatohen 34 prej tyre me katër objektiva.
Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ajo ka shtuar se janë deri në 15 aktivitete të cilat synojnë fuqizimin e gruas për t’u shkëputur nga cikli i dhunës.
Shala, njëherit Koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, tha se strategjia ndaj dhunës në familje ka qenë pjesë e programit qeverisës.
“Me grupin punues kemi punuar intensivisht. Synimi ka qenë që të sigurohemi që kemi diskutim të gjerë sa i përket dhunës në familje. Si rezultat i konsultimeve, kemi një strategji që ka 140 aktivitete të ndara në katër objektiva”, ka thënë ajo.
Sipas saj, nga 140 aktivitete të parapara në periudhën trevjeçare, 34 prej tyre kanë filluar të zbatohen.
“Një sfidë sa i përket zbatimit të strategjisë është monitorimi i zbatimit. Objektivi i parë janë masat parandaluese, objektivi i dytë është harmonizimi i politikave dhe akteve ligjore, objektivi i tretë me rritjen e sigurimit të koordinimit mes institucioneve dhe pajtimin e viktimës por edhe trajtimin e kryerësit të dhunës”, ka shtuar ajo.
Anëtarja e komisionit, Eliza Hoxha ka kërkuar që të hartojnë politika për mundësi banimi të grave ose pagesa më të ulëta të tatimit.
Ndërkaq, anëtarja Tinka Kurti ka pyetur nëse po bëhen hetime për zyrtarët institucionalë.
“Sa herë që nuk kemi një përgjigje adekuat institucional, ne kemi rënë dakord që të mund të mbledhim grupin e ngushtë urgjent i përgjigjes. Dhe në këtë grup bën pjesë policia, mbrojtësi i viktimës”, ka shtuar ajo.
Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut do të raportojë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.